Një legjendë nuk do të luajë më futboll në përfundim të këtij sezoni. Filip Lahm, sipas mediave “teutone” ka lajmëruar drejtuesit e Bajernit se do të varë këpucët në gozhdë në verë duke i dhënë fund një karriere të lavdishme. Kapiteni i bavarezëve ka kontratë deri në vitin 2018, por duket se po ndjen se koha ka ardhur pavarësisht nga firmat nëpër letra. Gazeta “Bild” njofton se Uli Hënes apo Karl-Hajnc Rumenige as nuk kanë ndërmend ta pengojnë një nga futbollistët më të mëdhenj, jo vetëm të brezit të tij, por edhe të historisë së futbollit gjerman.
Filip Lahm ka fituar gjithçka me bavarezët, disa herë titullin kampion, Kupën e Gjermanisë, Ligën e Kampionëve, Superkupën e Europës dhe Kupën e Botës për klubet, si dhe ka dalë kampion i botës me Gjermaninë. Ai e mbylli me kombëtaren pikërisht pas përfundimit të Kupës së Botës 2014 në Brazil, ndërsa me Bajernin ka luajtur 500 ndeshje, që kur erdhi në 2005 nga Shtutgarti.
Sfidanti.al