Kovidi bën “kërdinë” në kombëtare, Shpresa, por vetëm Tirana ndal stërvitjen!

Nga klubi nuk ka asnjë konfirmim, por faktet janë kokëforta. Tirana, kryesuese e Abisnet Superligës, është e goditur nga koronavirusi dhe plot 7 pjesëtarë të saj janë detyruar të izolohen. Pasi mbrojtësi Hoxhallari dhe fizioterapisti Voci u infektuan ndërsa ishin në ekipin kombëtar, kanë dalë edhe emra të tjerë. Marsel Ismajlgeci është sëmurë ndërsa ka qenë pjesë e grumbullimit të Shqipërisë U21 të trajnerit Alban Bushi, dhe gjithashtu është i izoluar. Sidoqoftë, problemet e kryeqytetasve nuk mbarojnë me kaq.

Burime në klub bëjnë me dijë për ABC-në se pozitivë kanë dalë edhe futbollistët e rëndësishëm Majkëll Ngo e Taulant Seferi, si dhe lojtari i ri, Aldi Gjumsi. Bashkë me ta, edhe trajneri i përgatitjes fizike Kosta Jani. Nga klubi nuk ka asnjë njoftim zyrtar, por burimet te bardheblutë njoftojnë se ditën e djeshme trajneri Orges Shehi ka anuluar stërvitjen, ndërsa në kompleksin “Skënder Halili” ka qenë vetëm ekipi U21 i drejtuar nga trajneri Erbim Fagu. Futbollistët do të vazhdojnë të bëjnë tampone, ndërsa mësohet se klubi ka vendosur dezinfektimin e ambienteve për t’u ruajtur nga Kovidi. Me 7 lojtarë e pjesë të stafit, Tirana rrezikon jo pak për ndeshjen e 17 tetorit ndaj Teutës, me rifillimin e kampionatit, gjithnjë ata nuk arrijnë të shërohen në kohë.

Sfidanti.al