Kombëtarja me “artilerinë e rëndë” ndaj Hungarisë e Polonisë në Botëror, kthehet Balliu!

Momenti i së vërtetës po vjen. Kombëtarja shqiptare luan këtë muaj dy ndeshje që cilësohen vendimtare për shanset e saj për në finalet e Botërorit, dhe trajneri Edi Reja bëri hapin e parë, shpalli listën e lojtarëve të grumbulluar. Italiani, që do të dalë këtë të hënë në konferencë për shtyp në Durrës, nuk pati shumë të papritura në përzgjedhjen e tij. Bie në sy rikthimi i Ivan Balliut pas gati 2 vjetësh, me mbrojtësin që ka luajtur shumë pak për kuqezinjtë, por që këtë sezon po shkëlqen në La Liga të Spanjës me Rajon e Vajekanos.

Për fat të keq, kombëtarja nuk do të ketë mesfushorin Abrashi që u dëmtua sërish dhe nuk rikuperohet në kohë, ndërsa Dermaku kthehet në ekip pasi kaloi lëndimin, dhe mbrojtësi shtatlartë do të jetë një plus për Rejën. Pjesa tjetër e lojtarëve janë ata të zakonshmit, me treshen e portës të përbërë nga Berisha, Strakosha e Selmani, ndonëse dy gardianët që janë në Serinë A nuk janë aktivizuar këtë sezon. Në mbrojtje janë të përhershmit Hysaj, Ismajli, Gjimshiti, Kumbulla apo, pa harruar Mihajn e Hoxhallarin.

Ne mesfushë, alternativat nuk mungojnë megjithë dëmtimin e Abrashit. Bare, Gjasula, Roshi, Çekiçi apo Ramadani janë të gatshëm. Në sulm, reparti është i plotë pasi Reja ka thirrur të pesë lojtarët kryesorë. Uzuni apo Cikalleshi janë në formë shumë të mirë, ndërsa nuk mungon cilësia e Brojës, Manajt e Balajt. Kombëtarja nis grumbullimin këtë të hënë në kompleksin Tropikal në Durrës, pasi lojtarët të mbyllin detyrimet me klubet, ndërsa ndeshjet eleminatore të Botërorit janë në 9 tetor në Budapest me Hungarinë dhe në 12 tetor ndaj Polonisë në “Arenën Air Albania”.

Lista e kombëtares: Portierë: Berisha, Strakosha, Selmani; Mbrojtës: Hysaj, Balliu, Ismajli, Gjimshiti, Kumbulla, Mihaj, Veseli, Hoxhallari, Dermaku; Mesfushorë: Lenjani, Trashi, Çokaj, Gjasula, Ramadani, Bare, Roshi, Çekiçi, Bajrami; Sulmues: Balaj, Broja, Cikalleshi, Manaj, Uzuni.

Sfidanti.al