Përpara ndeshjes tregoi se nuk e kishte harruar mënyrën sesi e larguan nga Barcelona. Luis Suarez ishte shënuesi i tretë më i mirë në historinë e klubit katalas, por trajneri Ronald Kuman shpenzoi më pak se 1 minutë në bisedën telefonike për t’i thënë se nuk e kishte në planet e veta. Holandezi e përjashtoi nga ekipi dhe e dërgoi të stërvitej me skuadrën B, derisa gjeti vend tek Atletiko e Madridit e Diego Pablo Simeones. Vitin që kaloi ai nuk pati përgjigje për Kumanin, por këtë herë po.
Këtë të shtunë, Luis Suarez shërbeu një asist dhe shënoi golin e dytë në fitoren 2-0 të Atletikos ndaj Barcelonës. Ai ngriti lart pëllëmbët e bashkuara në formë lutjeje për t’u kërkuar falje ish-shokëve të tij dhe ish-tifozëve të tij. Gjithsesi, ai imitoi një bisedë telefonike për t’u tallur me Kumanin që, siç është shprehja angleze “është një i vdekur që ecën”. Ai nuk është shkarkuar nga Barcelona, por është praktikisht jashtë. “Unë e dija se nuk do të festoja pasi të shënoja, – tha sulmuesi uruguajan,- unë kam shumë dashuri për këta djem që kanë qenë shokët e mi të skuadrës dhe ata po kalojnë një periudhë të vështirë”. Atletiko ka 17 pikë po aq sa Reali, që ka një ndeshje më pak, duke qenë në krye të La Ligës, ndërsa Barcelona është në krizë.
Sfidanti.al