Ata nuk kishin ombrellë me vete, pasi sulmuesit nuk i duhej aspak në fushë, ndërsa trajneri nuk deshi të ishte si ish-tekniku i Anglisë, Meklaren, disa vjet më parë. Gjithsesi, edhe pse të bërë qull, Timo Verner dhe Tomas Tuhel ishin dy njerëz të lumtur nën shiun londinez në “Stemford Brixh”. Çelsi fitoi 3-1 ndaj Sauthemptonit dhe u ngjit në krye të Premier Ligës, të paktën deri në përfundim të sfidës së sotme Liverpul-Mançester Siti, ndërsa blutë lanë pas dy humbjet radhazi, ato ndaj Guardiolës dhe Juventusit të Alegrit.
Verner ishte po aq i lumtur edhe për faktin se arriti të shënonte një gol, ndërsa karriera tek Çelsi duhej në rrezik të madh. Sulmuesi gjerman pati një gol të anuluar më herët, ndërsa rrjetat e tjera për londinezët ishin nga Çalobah (1-0), dhe Ben Çiluell në 89’ për 3-1. Xhejms Uord-Praus barazoi përkohësisht për “Shenjtorët”, por pastaj u përjashtua me të kuq, ndërsa sulmuesi i kombëtares shqiptare, Armando Broja, ishte në tribunë sepse nuk mund të luante për Sauthemptonin ndaj Çelsit që e ka huazuar. “Nuk e besoj sesi mund të anulohej goli i Vernerit, – u ankua Tuheli më pas, – jemi në Angli dhe nuk besoja kurrë se mund të ndodhte kjo gjë këtu”. Trajneri i “Shenjtorëve”, Hazenhytl u ankua edhe ai për VAR-in: “E treta herë që Majk Din është tek VAR-i ndaj nesh dhe na jep karton të kuq”.
Sfidanti.al