Tifozët dhe mediat kundër Realit, Sherifi: E meritojmë vendin në Champions!

Një gol mjaftoi që të shpërthenin emocionet. Ekipi më i varfër i Championsit, Sherifi i Tiraspolit fitoi në Madrid ndaj Realit, doli në krye të grupit dhe një reagim origjinal erdhi nga Shqipëria. “Po e them se kush na mund ne, mund të ecë vetëm përpara”, – komentoi në FB trajneri i Teutës, Edi Martini, ekipi i të cilit u eleminua më herët nga moldavët. Në Shqipëri, gjithashtu u kujtua përballja e Kukësit me Sherifin 4 vjet më parë, kur ekipi verior u eleminua vetëm nga fati i keq, duke dominuar një rival që sot arriti fitoren e shekullit në “Bernabeu”.

Reali natyrisht nuk është se nuk luajti, madje gjuajti mbi 30 herë drejt portës, por shënoi vetëm me penallti me Karim Benzemanë. “Jam i shqetësuar, por më shumë për rezultatin dhe për faktin se nuk mundëm të shënonim golat, – tha ai, – ne i kishim mundësitë për të fituar, dhe jam i trishtuar që nuk ia dolëm. Duhej të kishim shfrytëzuar rastet, vështirë ta shpjegoj këtë humbje”.

Trajneri i Sherifit, Jurij Vernidub, ishte i parashikueshëm. “Natyrisht që jemi shumë të lumtur që përballë një ekipi kaq të madh sa Reali fituam 2-1, – u shpreh ai, – një falenderim i madh për të gjithë djemtë për atë që bënë sot. Ne treguam se e meritojmë vendin në Champions”.

“Sherifi imponon ligjin e tij, – bën lojë fjalësh “AS”-i, – sulmi i kampiones moldave goditi një Madrid mendjemadh. Reali gjuajti 31 herë, por shënoi me penallti”. “Të arrestuar nga Sherifi, – tallet “El Mundo Deportivo” e Barcelonës, – ekipi modest moldav pushton “Bernabeun”, dhe kryeson grupin”.

Tifozët si tifozët. Ata shprehën me zemërim zhgënjimin nga paraqitja e Realit, pasi nuk e besonin kurrsesi që kjo të ndodhte. Gjithsesi, mallkimet u bënë edhe vjet pas humbjeve me Shahtarin, por Reali arriti në gjysmëfinale.

Sfidanti.al