Hamilton mendon se i ka përngjarë siç duhet idhullit të tij, Sena!

Kur ishte i vogël mbetej i ngrirë para televizorit dhe shikimi i tij kërkonte vetëm dikë, pilotin e madh të viteve 80-të e fillimit të viteve 90-të, Airton Senën. Ljuis Hamilton e ka pohuar vetë se e ka pasur idhull brazilianin, më shumë sesa Prostin apo Shumaherin. “Mahnitesha nga mënyra sesi i përjetonte garat, – tregonte anglezi, – me shpejtësinë e tij, nga pasioni i tij, mënyrën sesi i vetëm përballonte vështirësitë, me kokën lart dhe kundër sistemit. Që i vogël doja që të bëhesha si ai”. Kanë kaluar shumë vjet dhe vetë Hamiltoni i është afruar muzgut të karrierës së tij të shkëlqyer.

Ai ka shifra që as braziliani legjendar nuk i arriti, madje kaloi edhe rekordet e Mikael Shumaherit. Me 100 fitore dhe 100 vende të para në prova, ai është sot rekordmeni, ashtu si edhe me pikët e fituara, ndërsa ka 7 tituj botëror, sa rekordi i Shumit. Ljuisi admironte guximin dhe parimet e forta të Senës, që luftonte për kauza që i quante të drejta. Ashtu si bën anglezi sot. “Gjithmonë më kanë pyetur nëse shihja ndonjë si Airtoni tek pilotët e rinj, – thoshte Gerhard Bergeri, – gjithnjë thoja se Airtoni ishte unik, i papërsëritshëm. Por, tani Ljuisi ma kujton shumë, për mënyrën sesi garon, për shpejtësinë, forcën përpara vështirësive, në kohë të thatë dhe në shi, në leximin e garës, për aftësinë politike, është i kompletuar dhe ka personalitet të madh”.

Sfidanti.al