Kur ke përballë një gardian të portës në moshën 37-vjeçare padyshim mendon se mund ta vësh “në gjumë”. Gjithsesi Andrij Pjatov, portieri i Shahtarit të Donjeckut, nuk u tregua aspak “gjysh”, por përkundrazi ishte një hero shpëtimtar në barazimin 0-0 në Kiev ndaj Interit në Champions. Ukrainasit, që ishin keq moralisht pas humbjes 0-2 në ndeshjen e parë në grupe ndaj Sherifit të Tiraspolit, përballuan presionin edhe po luajnë prej vitesh si “çifuti në shkretëtirë”. Pasi bujtën për shumë kohë në stadiumin e Lvivit, tani janë të detyruar të zhvillojnë ndeshjet në Kiev, përderisa qyteti i tyre i Donjeckut është në zonë lufte, në republikën e shpallur nga autoritetet e atjeshme të Donbasit.
Nikolo Barela goditi shtyllën për italianët nga 25 metra larg, Edin Xheko humbi një gol të sigurt duke dërguar topin “në hava” ndërsa ishte shumë pranë portës së boshatisur, pastaj Lautaro Martinez humbi një tjetër rast shumë të mirë, ndërsa në minutat e fundit Pjatov bëri dy pritje të mëdha duke ruajtur barazimin 0-0. Pas humbjes 0-1 me Realin në “San Siro”, ekipi i Inzagit donte fitore dhe mund ta ndjejë veten të rrezikuar, por gjithsesi futbolli i luajtur ishte i mirë dhe jep shpresë.
Sfidanti.al