Empoli gjen një rol të ri për Nedim Bajramin, shqiptari është një “9” false!

Pritej që të mos ishte titullar, siç nuk qe në mesjavë, ndërsa trajneri Aurelio Andreacoli sikur po vlerësonte më shumë mesfushorin tjetër Di Françesko përpara tij. Gjithsesi, tekniku i Empolit bëri një gjetje për ndeshjen e djeshme në Serinë A ndaj Bolonjës, në një sfidë që ishte shumë e vështirë edhe pse përfundimisht u fitua 4-2. Empoli luajti me skemën 4-3-1-2, dhe numri 10 i kombëtares së Shqipërisë ishte menjëherë pas dy lojtarëve të vendosur si sulmues paksa nga krahët, Di Françesko dhe Pinamonti. Bajrami shpesh vepronte edhe si regjisor, por edhe si “9” false, ndërsa Andreacoli arriti të mbante të fortë mesfushën për të përballuar furinë e bolonjezëve të trajnerit Sinisha Mihajloviç.

Bajrami madje arriti të shënonte, edhe pse me penallti në minutën e 51-të për 3-1, ndërsa në minutën e 80-të ia la vendin mesfushorit të Shpresave të Shqipërisë, Kristjan Asllani. Në këtë mënyrë, Bajrami vjen në grumbullim me kombëtaren për ndeshjet e Botërit ndaj Hungarisë e Polonisë, me “serbatorin” plot me minutazh dhe me ritmin e duhur të lojës. Empoli, ndërkaq, ka një renditje të bukur duke qenë në vend të 8-të në Serinë A me 9 pikë, 3 fitore e 3 humbje, dhe me Bajramin që ka 2 gola deri tani.

Sfidanti.al