Kuman ka të drejtë, ai nuk ka më fatin të ketë Mesin në ekip!

Trajneri i Barcelonës nuk zhvilloi një konferencë shtypi të zakonshme në prag të ndeshjes së radhës në La Liga, por vendosi të lexonte një deklaratë, ndërsa lajtmotivi kishte të bënte me Lionel Mesin. Ronald Kuman deklaroi se përsa kohë që Mesi ishte në “Kamp Nou”, problemet e skuadrës u maskuan nga magjia e tij, që ndihmoi të krijohej loja, të krijoheshin e të shënoheshin golat. Sot, Mesi nuk është më dhe problemet kanë dalë të gjitha në shesh. Pavarësisht “mëkateve” që mund të ketë holandezi, ai tha një të vërtetë për argjentinasin. Kuman nuk pati fatin e të tillëve si Pep Guardiola apo Luis Enrike (si dhe Ernesto Valverde) që punuan gjatë gjithë kohës me magjistarin me numrin 10 në ekip, madje duke e pasur në moshën e tij optimale. Mesi është larguar tek Paris SG, plus që kohët e fundit ai kaloi 33 vjeç duke u bërë 34. Nuk dihet nëse ish-trajneri i Holandës do ta shpëtojë detyrën, por e sigurt është se cilido trajner tek Barcelona do ta ketë të vështirë pa Mesin.

Sfidanti.al