Po e shijonte shumë këtë fillim sezoni në elitë. Gjithsesi, nuk qe e thënë që kënaqësia të vazhdonte gjatë për Keidi Baren, sepse mesfushori i Espanjolit dhe i kombëtares shqiptare pësoi dëmtim në ndeshjen e fundit të luajtur në La Liga të Spanjës. Pasi dha kontribut të rëndësishëm në fitoren 1-0 ndaj Alaveshit, e para këtë sezon për Espanjoli, dhe e para në Primera Divizion pas 466 ditëve, ai u Bare u detyrua të kërkonte zëvendësim në minutën e 73-të.
Lojtari 24-vjeçar doli nga loja dhe vendosi menjëherë një qese me akull në këmbën e lënduar, ndërsa nga klubi katalanas ende nuk ka njoftime se çfarë shkalle dëmtimi ka dhe kur mund të kthehet në fushë. Ky ishte dëmtimi i dytë i shqiptarit në rreth 1 muaj, diçka që nuk do ta lejojë të ndihmojë ekipin në këtë sezon të vështirë. Edhe pse nuk është aktivizuar gjithmonë titullar, ai ka qenë pjesë e rëndësishme e Espanjolit, ashtu siç ishte edhe sezonin e kaluar në kategorinë e dytë, dhe siç ka qenë nmë Spanjë edhe për Malagën dy vjet më parë.
Gjithsesi, shqetësimi për Baren është i madh edhe në kombëtaren shqiptare sepse ai është lojtar-kyç në mesfushë, siç e ka treguar në ndeshjet e fundit eleminatore të Kupës së Botës. Problemi bëhet edhe më serioz për trajnerin Edi Reja sepse në ndeshjet e fillimit të tetorit ndaj Hungarisë e Polonisë, me shumë gjasë mund të mungojë edhe mesfushori tjetër i rëndësishëm, Amir Abrashi i dëmtuar me kuqezinjtë këtë muaj.
Sfidanti.al