Në Çmimin e Madh të Rusisë në Soçi, pas dy javësh, kryesuesi i renditjes së Botërorit do të niset 3 vende më poshte sesa do ta meritojë nga provat zyrtare. Ky ishte dënimi i FIA-s për Maks Verstapenit pas aksidentit të rrezikshëm që ndodhi në xhiron e 26-të të Çmimit të Madh të Italisë në Monza. Holandezi i Red Bullit u konsiderua fajtor që i mbylli rrugën Ljuis Hamiltonit, që rrezikoi jetën, ndërsa të dy pretendentët e vetëm për titull në Formula 1 dolën nga gara. Kjo i voliti më shumë Verstapenit sepse fitoi 2 pikë në sprintin e së shtunës, ndërsa në garë ishte inferior me makinën e tij ndaj Mercedesit. Pas vendimit të FIA-s, kampioni i botës reagoi. “Ai e dinte se çfarë do të ndodhte, por sërish nuk u tërhoq, – tha Hamilton, – unë isha përpara në kthesën e parë, ndërsa ai nuk deshi të tërhiqej në të dytën. Në kthesën e katërt në nisje të garës, kur ishim në pozicion të ngjashëm, unë u tërhoqa”. Hamiltoni synon fitoren në Soçi, dhe ndihmën nga shoku i skuadrës, Valteri Botas, në mënyrë që të rifitojë kreun e renditjes së Botërorit dhe madje të krijojë një diferencë me rivalin holandez.
Sfidanti.al