Shqiptarët në Europë: Gol, shtyllë, penallti, por vetëm humbje!

Nuk paska qenë dita e tyre. Futbollistët shqiptarë e lanë shkëlqimin në javët e kaluara, pasi këtë herë nuk mundën të arrinin fitore, ndërsa bënë edhe gabime. Në Serinë A, Nedim Bajrami doli i mundur nga fusha, sepse Empoli humbi 1-2 në shtëpi ndaj Venecias. Kjo edhe pse mesfushori i ri i kombëtares e la shenjën e tij, duke shënuar me penallti golin që shkurtoi diferencën në minutat e fundit.

Duke mbetur në Itali, Berat Gjimshiti gjithashtu pati një mbrëmje për t’u harruar me Atalantën. Qendërmbrojtësi i kombëtares shkaktoi penallti në humbjen gjithashtu në shtëpi 1-2 ndaj Fiorentinës. Shqiptari i Kosovës u gjykua se pati kontakt me një nga lojtarët miq, dhe arbitri që ishte shumë pranë nuk ngurroi të jepte dënimin maksimal për bergamaskët. Po ashtu, Gjimshitit iu anulua një gol, ndërsa të dy golat për Fiorentinën u shënuan me 11-metërsh nga sulmuesi serb, Vllahoviç.

I pafat edhe Ernest Muçi në Superligën e Polonisë. Së pari, sulmuesi shqiptar pati faj në golin e pësuar nga Legia e Varshavës në fushën e Shlaskut të Vroclavit. Lojtari kuqezi nuk e ndoqi aksionin, ashtu si edhe një shok tjetër i ekipit, pasi anësori ngriti flamurin për pozicion jashtë loje, por gjyqtari kryesor vazhdoi lojën dhe vendasit shënuan golin e fitores. Gjithsesi, në minutat e fundit, Muçi krijoi mundësinë për barazimin. Në një aksion të shkëlqyer individual ai u ndal nga shtylla, ndërsa po e rrit gjithnjë e më shumë nivelin në elitën e futbollit polak.

Sfidanti.al