Në të vërtetë, vendimtare ishte vera që sapo kaloi. Ka pasur edhe më parë skuadra në kontinentin tonë me nga dy lojtarë nga Shqipëria, por ato ekipe që i kanë tani, ia dolën vetëm deri në gusht. Në Itali, Lacio mori edhe Elseid Hysajn pasi kishin Tomas Strakoshën për vite me radhë, ndërsa nuk po e llogarisim Vedat Muriqin sepse është shqiptar i Kosovës. Gjithashtu në Serinë A, është Empoli që e kishte Nedim Bajramin që sezonin e kaluar në B, por duke “e çiftuar” me mbrojtësin Ardian Ismajli të marrë nga Specia. Në Poloni, Legia e Varshavës mori dy shqiptarët në 2021. Në shkurt, në kryeqytetin polak shkoi Ernest Muçi, ndërsa tani iu bashkua ish-shoku tek Tirana, Jurgen Çelhaka. Më shumë ekipe me nga 2 shqiptarë janë në Turqi. Në Superligë janë Sokol Cikalleshi dhe Endri Çekiçi te Konjaspori, ndërsa në Ligën e Parë janë Eduart Roca e Kristal Abazaj tek Istanbulspori dhe Gentian Selmani dhe Odise Roshi me Bolusporin.
Sfidanti.al