Duhet të ndryshojë bota, ose të paktën Gjermania, që Borusia e Dortmundit të ketë sërish shans të luftojë për titull në Gjermani. Në një realitet ku Bajerni ka krijuar një diferencë shumë të madhe me të tjerët, dhe ku ngritja e klubeve të tjerë mund të bëhet fare lehtë me investime nga jashtë, modeli i verdhezinjve nuk “pi ujë”. Strategjia e viteve 90-të, me rikthimin e yjeve në prag të pensionit nga Seria A në Bundesligë, nuk mund të bëhet edhe një herë, po ashtu edhe befasia me të cilën Jurgen Klop ndërtoi një skuadër me talent të madh (si Ajaksi në 1995) dhe fitoi dy tituj, duket tashmë e pamundur të provohet.
Tomas Tuhel, trajneri i sotëm i Borusias, me siguri është ndjerë edhe keq dhe jo vetëm mirë nga fitorja ndaj Lajpcigut. Skuadra e tij mundi një rivale për titull, duke treguar sërish krenarinë ashtu si ndaj Bajernit, po ashtu u rikthye në pozita të forta për t’u kualifikuar për në Champions sezonin e ardhshëm. Veçse, Tuhel shikon edhe diferencën prej 12 pikësh me bavarezët dhe e di se nuk ka shpresa për më shumë. Një mëkat për më shumë se 81 000 spektatorët në “Signal Iduna Park”. Do të duhet të ndryshohen rregullat e futbollit europian, pak a shumë të jenë si ato të NBA-së, që disa skuadra të luftojnë vërtet për titull. Një lloj barazitizmi i detyrueshëm, përndryshe Bundesliga nuk do të ketë kurrë emocionet maksimale.