Një Monako e frikshme po i afrohet titullit në Francë

Le të mos i vemë shumë faj Nisës. Skuadra e Bregut të Kaltër francez (Cote d’Azur) duhet të ndihet krenare që është vetëm 3 pikë larg vendit të parë dhe 12 pikë larg të katërtit. Këto nuk janë shifra për një klub kaq të vogël. Kështu, nuk duhet të provojë dëshpërim që humbi derbin e Bregut të Kaltër ndaj një ekipi me më shumë emër si Monako. Skuadra e Principatës, që merr pjesë në ligën e parë franceze sepse nuk ka ku luan tjetër, triumfoi 3-0 në stadiumin e saj dhe doli e vetme në kryesim. Monako ka 52 pikë, Nisa 49 e lënë në vend të tretë për golaverazh nga Paris SG, që fitoi 3-1 në fushën e Dizhonit.

Radamel Falkao realizoi dy herë për ekipin e trajnerit Leonardo Zhardim, që është i frikshëm për sasinë e golave që shënon. Vetëm Barcelona ia ka dalë për më shumë, dhe të dyja skuadrat e kanë arritur dhe kaluar “tavanin” e 100 golave deri tani këtë sezon. Monako synon titullin e parë që nga viti 2000 dhe nëse do të vazhdojë me këtë ritëm, do ta meritojë plotësisht.