Fjala “po” do të thuhet në mesnatë, por Mbape do të vlejë 200 milionë

Nuk do ta thyejë dot rekordin e Nejmarit, por as nuk mund të mendohej në këtë situatë. Bota po heq ende keq nga Kovid 19, dhe Reali i Madridit nuk mund të arrijë në çmendurinë për të shpenzuar mbi 222 milionë eurot që Paris SG ia pagoi Barcelonës për superyllin brazilian. Gjithsesi, në Madrid po mendojnë për një ofertë të tretë dhe të fundit pë Kilian Mbapenë, plot 200 milionë euro, pra aq sa ka kërkuar Paris SG, dhe kanë besim se do t’ia dalin që ta marrin.

Mediat spanjolle thonë se bisedimet mund të nisin në orën 18:00 dhe mund të përfundojnë pranë mesnatës, kur përfundon afati i transferimeve në Europë, veçse presidenti Florentino Perez nuk dëshiron që të humbasë një lojtar të tillë, aq më tepër që klubi i tij ka 4 vjet që mbledh paratë pikërisht për të, duke transferuar në dalje 11 lojtarë e duke pasur në arkë mbi 400 milionë euro. Këto para janë “taksur” për Mbapenë dhe do të dalin për të paguar kartonin dhe rrogat, bashkë me taksat ndaj shtetit spanjoll.

Sfidanti.al