Edhe sportelistja e hotelit të Francës pyet për fatin e Kilian Mbapesë!

Për ata që kanë një moshë të caktuar dhe kanë ndjekur filmat e kohës së shkuar (para 1990-ës), padyshim që nuk është i harruar filmi “Çifti i lumtur”, ku çështja kryesore ishte fejesa e një djali shkodran me një vajzë shkodrane të një feje tjetër. Në një moment, një kamarier në lokal pyet babanë e djalit (Bep Shirokën) “e fejuat gjë djalin?”, duke e bezdisur shumë e duke ia zënë rakinë në fyt. Kështu është bërë edhe çështja e transferimit të Kilian Mbapesë, ku edhe shitësja e bukës apo fatorinoja e autobusit pyesin gjithë ditën nëse Mbapeja kaloi apo jo tek Reali i Madridit. Kësaj kërshërie nuk i shpëtoi dot as recepsionistja (sportelistja) e hotelit të kombëtares e cila e pyeti drejtpërdrejt Mbapenë, kur ai mbërriti në grumbullim. “Si ndihesh, ku do të shkosh”, – i tha ajo. “Ndihem mirë”, – tha sulmuesi duke mos komentuar më gjatë.

Sfidanti.al