Një ditë më parë u shkrua se Mançester Junajtidi e fitoi 1-0 derbin me “qytetarët” e Pep Guardiolës duke marrë Kristiano Ronaldon, i cili u duk se kishte marrë rrugën për në “Etihad”. Nuk kaluan mirë as 24 orë kur Mançester Siti tregoi klasin e tij duke mundur 5-0 Arsenalin, duke treguar në një farë mënyre se as nuk kishte nevojë për portugezin. Gyndogan, Ferran Torres, Gabriel Zhezus, Rodri dhe sërish Ferran Torres shënuan golat, me Torresin që shkëlqeu në rolin e numrit “9”. Siti pati një nivel shumë të lartë taktik e teknik, ndonëse duhet thënë se Arsenali është bërë si “aspirinë” që shëron çdo hall të ekipeve të tjerë në Angli. Jo më kot, londinezët janë në vendin e fundit, dhe trajneri Mikel Arteta është nën kritika të forta, pavarësisht se Guardiola e vlerësoi sërish si një trajner shumë të mirë, por që ka fatin e keq të dëmtimeve.
Sfidanti.al