Dy filozofi të ndryshme për titullin, Liverpuli i Klopit dhe Siti i Guardiolës!

Dy filozofi futbolli janë përballë. Kështu ndodh kur mes pretendentëve për titullin në Premier Ligë janë Liverpuli dhe Mançester Siti. Të kuqtë e trajnerit Jurgen Klop kanë dy fitore radhazi dhe golaverazhin 5-0, veçse dallohen nga Siti, Mançester Junajtidi apo Çelsi sepse nuk kanë bërë shpenzime të çmendura për dy vjet me radhë. Diogo Zhota e Sadio Mane shënuan ndaj Bërnlit në fitoren 2-0, për një ekip që ka marrë vetëm mbrojtësin Konate nga Lajpcigu. Kjo ishte sfida e parë e sezonit në stadiumin “Anfild”, të mbushur plot me rreth 44 000 tifozë për herë të parë pas më shumë se një viti e gjysmë.

“Ne shënuam dy gola dhe mund të kishim shënuar edhe më shumë, – tha Klopi, – nuk jam i habitur nga loja, pasi e kam thënë se jam shumë i lumtur me skuadrën që kam. Po ashtu nuk u habita nga paraqitja e 18-vjeçarit Harvej Eliot, pasi ai është mjaft i pjekur për moshën që ka”.

Mançester Siti e kishte më shumë detyrim që të fitonte pas humbjes së javës së parë në fushën e Totenhemit. Ekipi i Guardiolës e bëri dhe tregoi gjithë potencialin e tij, që shfaqet i plotë kur është në formë. Noruiçi u shtyp me shifrat 5-0, dhe Siti nuk e pati problem mungesën e Kevin De Brujnit, apo faktin që nuk ka marrë dot ende Harri Kejnin.

“Ne bëmë atë që duhet, – tha Guardiola, – Gabriel Zhezus tregoi sesa i rëndësishëm është për ne. Xhek Grilish po ashtu shënoi golin e parë, dhe unë them që ai mund të kthehet në makinë golash, të mësojë nga Stërlingu”.

Sfidanti.al