Pritej të ishte dita e tyre në Itali dhe nuk zhgënjyen. Shumë futbollistë shqiptarë ishin në fushë, e disa hynë si zëvendësues në javën e parë të Serisë A, por mbi të gjithë mund të veçohet njëri. Nedim Bajrami, numri 10 i Empolit dhe dëshira e madhe e kombëtares dhe e trajnerit Edi Reja, bëri debutimin më të mirët mundshëm në elitën e futbollit italian. Mesfushori 22-vjeçar krijoi golin që i dha avantazhin ekipit të tij, organizoi lojën, dhe ishte rrezik i përhershëm për mbrojtjen e Lacios. Ndoshta, as ai vetë nuk e priste këtë nivel përballë njërit prej ekipeve më të mirë të Serisë A. Besohet se shumë shpejt Bajrami do të jetë pjesë e skuadrave të rëndësishme në Itali ose në liga të tjera kryesore të Europës.
Për Empolin në fushë ishte edhe mbrojtësi i kombëtares, Ardian Ismajli. Lacio, ndërkaq, pati titullar Elseid Hysajn që luajti 90 minuta, ndërsa sulmuesi i Kosovës, Muriqi, u aktivizua në pjesën e dytë. Për Atalantën, në ndeshjen në Torino, u dallua qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti. Ishte një ndeshje e vështirë sepse vendasit e Torinos luajtën shumë mirë dhe Gjimshiti nuk bëri gabime, duke mos qenë fajtor në golin e barazimit të shënuar nga Beloti. Në fund, Atalanta fitoi me fat dhe përvojë 2-1.
Një çlirim për Eros Grezdën në Hungari që kthehet te goli pas kaq kohësh. Ish-lojtari i krahut të kombëtares i dha fitoren 2-1 në fund Zalaegersegut në fushën e Debrecenit. Më pas, ai reagoi në Instagram duke theksuar se ia kishte dalë pas 3 operacioneve dhe dëmtimeve të rënda. Jurgen Bardhi, ndërkaq, e bën “sefte” në Turqi. Ish-sulmuesi i Partizanit shënoi golin e avantazhit për ekipin e tij, Tuzlaspor, në ndeshjen e fituar 3-1 në fushën e Altinordusë në Ligën e Parë të Turqisë. Bardhi e ka nisur mirë kampionatin, ashtu si edhe Tuzlaspori që ndodhet në vendin e dytë në renditje.
Sfidanti.al