Pep Guardiola nuk u mendua aspak dy herë për të thënë mendimin e tij për situatën e Çelsit. Ose të paktën, atë që ai e quajti mendimin e tij. “Titulli kampion është i Çelsit dhe vetëm Çelsi mund ta humbasë atë, – ishin fjalët e katalanasit, – në prag të ndeshjeve të radhës në Premier Ligë. Drejtuesi i Mançester Sitit vlerësoi punën e bërë nga kolegu i tij, Antonio Konte, dhe kur u pyet sesa shanse kishin ekipet e tjera, u përgjigj: “Sa ndeshje doni ju që të humbasë Konte?”
Blutë kryesojnë kampionatin anglez me 9 pikë epërsi ndaj Totenhemin dhe Arsenalit, dhe me 10 ndaj Sitit e Liverpulit, ndërsa koha po shkon drejt skadimit. Gjithsesi, vetë Antonio Konte, pati një mendim tjetër, kur u pyet për këtë. “Kjo e Guardiolës është një strategji psikologjike që çdo trajner e përdor për lojtarët e tij, – tha italiani, – Po ashtu, për të krijuar presion ndaj të tjerëve. Është normale, dhe unë e kam zakon të respektoj çdo vendim të trajnerëve”.
Konte vlerësoi se fitorja ndaj Arsenalit (nesër në “Stemford Brixh”) do të ishte diçka shumë e mirë, pra sigurimi i 3 pikëve, ruajtja e distancës me ndjekësit dhe lënia e Arsenalit 12 pikë prapa, ndonëse shtoi se ndeshja do të ishte shumë e vështirë. Konte nuk dëshiron të bjerë në grackë. Ka mundësi ai e di sesi përfundoi gara për titull gati 20 vjet më parë, kur Njukasëlli ishte shumë përpara Mançester Junajtidit, por pastaj skuadra e Sër Aleks Fergusonit u shpall kampione.