Pritet të ketë një zhvendosje drejt Lindjes gara më e madhe e klubeve në Europë. Liga e Kampionëve mund të ketë dy finale radhazi jashtë “perimetrit” të zakonshëm, që përfshin qytete të tilla si Vjena, Milano, Parisi, Londra, Barcelona, Mynihu apo Madridi. Në vitin 2018, finalja e Championsit do të mbahet në Stadiumin Republikan të Kievit, në kryeqytetin e Ukrainës, shtetit më të skajshëm në kufijtë e Rusisë. Nuk mjafton vetëm kjo.
Ekziston mundësia që finalja tjetër, ajo e vitit 2019, të luhet sërish në një Arenë lindore, madje shumë më lindore. Për këtë ndeshje fundore, ka prezantuar kandidaturën kryeqyteti i Azerbajxhanit, Baku, me stadiumin e tij të ri. “Stadiumi Olimpik” i Bakusë ka përfunduar ndërtimin në vitin 2015 dhe ka një kapacitet prej gati 70 000 spektatorësh (saktësisht 69 870). Në të u zhvilluan Lojrat Olimpike Europiane, pasi stadiumi ka edhe pistën e atletikës. Aty pritet të luhen ndeshje në grupe, në fazën finale të Euro 2020-ës, ndërsa për finalen e Championsit në 2019, Baku besohet se duhet të fitojë konkurrencën me stadiumin e ri të Atletikos së Madridit, “Estadio Metropolitano”, që është në ndërtim e sipër. Po ashtu, edhe të impianteve të lavdishëm si “San Siro”, “Uembli” apo “Old Traford”.