Luis Enrike dyshon për komplot të gjyqtarëve ndaj MSN-së

“Është krejtësisht e dukshme që lojtarët e mi janë ata që më shumë se të gjithë pësojnë ndërhyrje të gabuara, por nga ana tjetër, janë ata që marrin më shumë kartona të verdhë”. Luis Enrike nuk është se u kursye shumë për të sulmuar gjyqtarët, ndërsa Barcelona pret ndeshjen shumë të vështirë ndaj Atletikut të Bilbaos në ligën spanjolle. “Secili le të ketë gjyqin e ndërgjegjes së tij, – vazhdoi ai me ashpërsi, – pjesa tjetër funksionon kështu. Fillimisht ka një fushatë diskreditimi për lojtarët e mi, përfshi edhe mediat. Kjo është e padrejtë”. Mediat katalanase i kanë “fryrë zjarrit” duke deklaruar se pa gabimet e arbitrave, Barça do të ishte në vendin e parë dhe kanë numëruar ato që i quajnë padrejtësi ndaj skuadrës së tyre.

Luis Enrike, ndërkaq, e vlerësoi si shumë të vështirë ndeshjen ndaj Bilbaos, “një ekip që bën presion që nga mesi i fushës”, por shtoi se Iniesta e Buskets të paktën janë bashkuar me skuadrën. “Ky është lajm shumë i mirë, ndonëse duhet të presim lejen e mjekëve nëse mund të aktivizohen që tani”, – tha trajneri i Barcelonës.

Sfidanti.al