As Xhordani s’e fitoi dot vetëm NBA-në, as Doncic nuk ia del në Olimpiadë

Basketbolli është lojë skuadre, dhe një individ sado i mirë që të jetë kërkon mbështetje. Në vitet 80-të të shekullit të kaluar, legjenda Majkëll Xhordan dështoi të shkatërronte dominimin  e Detroitit apo Bostonit në NBA, dhe fitoi titullin vetëm në 1991 kur në ekip ishte edhe Skoti Pipen, madje edhe të tjerë. E provoi edhe Luka Doncic që deshi të fitonte thuajse i vetëm arin olimpik me Slloveninë. Kampionët e Europës ishin pa asnjë humbje deri në gjysmëfinale, dhe aty u duk se mund ta mundnin Francën, por dështuan në aksionin e fundit, 2.4 sekonda para sirenës, duke dalë të mundur vetëm për një pikë, 89-90. Lavdia i takoi Francës, dhe nëse fitojnë edhe finalen ndaj SHBA-së lavdia do ta ketë emrin “ar olimpik”. Doncic realizoi tripëll dabëllin e tretë në historinë e Olimpiadave, pas Sergej Bjellovit të Bashkimit Sovjetik dhe amerikanit Lebron Xhejms, por kjo nuk i bëri punë.  Franca e mbuloi fort dhe slloveni 22-vjecar shënoi 16 pikë, 10 topa në tabela e plot 18 asistë. Kjo ishte humbja e parë e Sllovenisë me Doncicin në ekip, pas 17 fitoreve radhazi. Majk Tobei shënoi 23 pikë për ballkanasit, Prepelic 17. Për Francën, Nando De Kolo pati 25 pikë, Evan Furnie 23 dhe Luvavu-Kabarro 15. Rudi Gober shënoi 9 pikë e kapi 16 topa në tabela duke bërë 4 bllokime gjuajtjesh, Batym pati po ashtu 4 bllokime, përfshi edhe vendimtarin ndaj Prepelicit.

Sfidanti.al