Kur vjen puna tek statistikat askush nuk i afrohet, ndonëse bota nuk harron një Airton Senë, një Manuel Fangio e një Mikael Shumaher. Ljuis Hamilton padyshim është pjesë e “ajkës” së Formula 1, dhe po e tregon se di të luftojë edhe në kushtet më të vështira. Prova më e qartë ishte në Çmimin e Madh të Hungarisë, ku ia doli të fitonte “pole position”-in në duel me Maks Verstapenin. Kampioni i botës në fuqi dha kohën 1’15”419, duke lënë shokun e tij të skuadrës tek Mercedesi,Valteri Botasin, në vend të dytë me 1’15”734. Verstapen u detyrua të mbetej i treti me 1’15”840. Skuadra Mercedes ishte më mirë sesa Red Bulli, por sidomos Hamiltoni që la rivalin më shumë se 4 të dhjetat prapa.
Kjo ishte fitorja e tij e 101-të në provat zyrtare, dhe e para që nga 9 maji në Çmimin e Madh të Spanjës. Këtë sezon, Red Bulli është shumë mirë dhe Verstapen kryeson renditjen e Botërorit me 8 pikë më shumë sesa anglezi, që në Hungari kërkon fitoren e 100-të jubilare në karrierë. Do të kishte shans të mirë nëse e mban vendin e parë në nisje në një pistë të ngushtë ku është e vështirë të parakalohet.
Sfidanti.al