Konkurrenca në një nivel të tillë, sidoqoftë, është më e vogël sesa në Australian Open, Rolan Garos, Uimbëlldon apo US Open. Sidomos, kur munguan Nadal e Federer. Gjithsesi, për Novak Gjokoviçin është ndryshe, dhe tenisti numër 1 në botë nuk po mundet të bëjë dot “xhap” në Olimpiada. Njeriu që fitoi radhazi 3 Grand Sleme këtë vit, dhe që është favorit edhe në US Open, u rrëzua si përherë në pengesën e parafundit, në gjysmëfinale. Njëlloj si në Londër 2012 e Rio 2016! Këtë herë “fajtori” ishte tenisti gjerman, me origjinë ruse, Aleksandër Zverev, që ia doli 2-1 me sete dhe me përmbysje. Nole fitoi 6-1 setin e parë, por pastaj Zverevi ishte më lart duke fituar 6-3 e 6-1. Seti i fundit ishte një dorëzim i vërtetë për tenistin serb, që siç duket ndjeu lodhjen e madhe të një viti të ngarkuar, ku arriti finalet dhe triumfoi në Melburn, Paris dhe Uimbëlldon. Ai nuk arriti dot “Slemin e Artë”, pra që të fitojë 4 Grand Slemet dhe Olimpiadën, diçka që nuk e ka bërë asnjë tenist mashkull, por vetëm legjenda e tenisit gjerman të femrave, Stefi Graf.
Sfidanti.al