Sulmi ndaj tij erdhi menjëherë pasi fitoi medaljen e artë në qitje me pistoletë në distancën 10 metra në “Tokio 2020”. Deri në atë kohë mund të ketë pasur pakënaqësi, por jo zhurmë të madhe për Xhavad Forugin, qitësin iranian që triumfoi në Lojrat Olimpike dhe që është infermier në Gardën Revolucionare të vendit të tij. Akuza erdhi menjëherë nga konkurrenti nga Koreja e Jugut, Xhin Xhon Oh, por edhe nga shoqata “Të bashkuar për Navidin”, në emër të kauzës së ish-mundësit të madh iranian, Navid Afkari, të ekzekutuar nga shteti sepse protestoi kundër atyre që janë në pushtet në Iran.
Garda Revolucionare e Iranit është vendosur në listën e organizatave terroriste nga SHBA, dhe nuk përjashtohet fakti se pjesëtarë të saj kanë bërë krime lufte në Lindjen e Mesme. Nga ana tjetër, ka shumë agjenci shtetërore ushtarake, policore, të shërbimeve të fshehta, që kanë bërë krime nga më të ndryshmet, duke nisur me ato amerikane, ruse apo kineze, izraelite apo saudite, por që nuk janë shpallur organizata terroriste. Duket se standardet janë të ndryshme për të njëjtën gjë, ndaj edhe kritika për infermierin kampion olimpik është një hipokrizi.
Sfidanti.al