Stafeta kineze dhe një jugafrikane, rekordet e reja botërore në not!

Nuk ishin pak dhe ishin impresionuese “caqet” e reja të arritura në pishinën olimpike. Stafeta kineze në 4×200 metra stil i lirë për femra dhe Tatjana Shënmaker e Afrikës së Jugut janë rekordmenë të rinj botërorë në not. Vajzat kineze fituan ndaj konkurrencës tepër të fortë të SHBA-së duke dhënë kohën 7’40”33, e duke thyer rekordin e mëparshëm botëror të mbajtur nga Australia me 17 të qindat. Stafeta amerikane pati kohën 7’40”73, ndërsa në vend të tretë ishte pikërisht Australia, që kishte qenë më e mira në gjysmëfinale. Kinezet janë Jan Xhun Hsuan, Tan Mu Han, Çan Ju Fei dhe Li Bin Xhie, ndërsa skuadra amerikane pati emra të njohur si Alison Shmit, Pejxh Mejdën, Keti Meklaflin dhe Keti Ledeki.

Rekordi tjetër botëror u vendos nga Tatjana Shënmaker e Afrikës së Jugut në garën e 200 metrave bretkosë me kohën 2’18”95. Ajo theu me 16 të qindat rekordin e mëparshëm të mbajtur nga danezja Pedersen. Afrikanojugorja ishte më e mira që nga bateritë, pastaj në gjysmëfinale dhe në finale, ku la pas me gati 1 sekondë amerikanen Lili King, ndërsa për bronzin më e shpejtë u tregua amerikania tjetër Eni Lejzër që kaloi me 2 të qindat rusen Jevgenia Çikunova.

Sfidanti.al