Katër gola e 2 asistë në Champions, Ferencvaroshi njeh Uzunin e vërtetë!

Katër ndeshje, katër gola, dy asistë. Ky është rendimenti i Myrto Uzunit në Champions deri tani për Ferencvaroshin, ndërsa në sfidën ndaj Zhalgirisit e tregoi veten të zotin në një pozicion tjetër. Heroi ishte dikush tjetër, sulmuesi Rajan Mej, autor i dy prej golave në fitoren 3-1 në Lituani, që vulosi kualifikimin për në raundin e tretë eleminator. Gjithsesi, Uzuni ishte njeriu që krijoi rrjetat, aq sa sulmuesit nga Belgjika nuk i mbeti veçse ta fuste topin brenda portës.

Beratasi 26-vjeçar tregoi një zemërgjerësi të madhe, ndryshe nga sa mund të pritej nga një lojtar që luan për të realizuar vetë, dhe kjo gjë padyshim që i ka pëlqyer shumë trajnerit Shtëger. Me ndihmën edhe të Uzunit, por edhe të mbrojtjes, Ferencvaroshi tregoi superioritet ndaj lituanezëve duke mos e diskutuar kualifikimin, pas fitores 2-0 arritur në Budapest. Në sfidën e parë, shqiptari shënoi një gol, ndërsa shkëlqeu edhe më shumë në raundin e parë.

Ai ishte autor i të tre golave në fitoren 3-1 ndaj Prishtinës në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kryeqytetin e Kosovës. Në raundin e tretë eleminator, për Ferencvaroshin dhe Uzunin vjen prova më e vështirë, ajo ndaj kampiones së Çekisë, Sllavia e Pragës, ekip që shkëlqeu vjet në Ligën e Europës, me ndeshjet që luhen në 4 e 10 gusht. Vetë sulmuesi i kombëtares nuk e ka ende të qartë se cila do të jetë e ardhmja e tij, pra nëse do të vazhdojë te kampionët e Hungarisë, apo do të kalojë në Greqi e Itali. Ferencvaroshi kërkon të paktën 5 milionë euro për kartonin.

Sfidanti.al