I shkëlqyeri Briken Calja i katërti në Tokio 2020, për 1 kg humb medaljen historike!

Askush tjetër si ai. Briken Calja hyri në histori si sportisti më i mirë shqiptar në Lojrat Olimpike për të gjitha kohët. Peshëngritësi nga një fshat i vogël si Shtërmeni, bëri të madh vendin e tij duke zënë vendin e katërt në dygarësh në peshën deri 73 kg. Rezultati i Caljes ishte 151 kg në stilin e shkëputjes, 190 kg në shtytje dhe 341 kg në dygarësh. Një gabim në shkëputje, duke mos arritur në 155 kg, e dënoi që të mos merrte vendin e tretë, për të fituar bronzing, që do të ishte medalja e parë olimpike në historinë e sportit shqiptar. Gjithsesi, shumë mirë edhe kështu.

Shtangisti 31-vjeçar përmirësoi rezultatet historike të peshëngritësve tanë në të kaluarën, me Ilirian Sulin dhe Romela Begajn që kishin arritur deri në vendin e pestë olimpik. Briken Calja gaboi gjysmën e provave në pedanë, duke pasur sukses 50 për qind, dhe kjo e penalizoi. Me gjasë, ndikoi gjendja psikologjike ose realizimi teknik, shumë i rëndësishëm sidomos në shkëputje. Kampion olimpik u shpall kinezi Shi Çi Jong, që ngriti 354 kg në dygarësh, duke vendosur dy rekorde botëror dhe dy rekorde olimpike. Shpresa e Shqipërisë për medalje mbetet tek peshëngritësi tjetër, Erkand Qerimaj që do të garojë në 31 korrik në peshën deri 81 kg.

Sfidanti.al