Japonia duhet të gjejë idhull tjetër, humbja e Osakës ishte e paralajmëruar!

Kur ajo u largua nga Rolan Garosi, në mes të konfliktit për shkak se refuzoi konferencat për shtyp, u kuptua se nuk po kalonte një periudhë të mirë. Mund të jesh kampione e madhe tenisi, të jesh multimilionere, por nervat e njeriut nuk forcohen nga këto gjëra, por nga niveli i rezistencës që kanë vetë. Kështu edhe Naomi Osaka që nuk arriti dot të bëhej japonezja e parë që të fitonte medaljen e artë olimpike në tenis. Ajo u mund në raundin e tretë, madje bindshëm, nga çekja Marketa Vondrushova, 2-0 me sete (1-6, 4-6). Çekja 22-vjeçare përfitoi mrekullisht nga kriza e Osakës, ndonëse edhe ajo vetë është teniste shumë e mirë, finaliste në Rolan Garos në 2019. “Mendoja se do ta përballoja presionin, – tha ajo më pas, – por, trysnia ishte gjigande, aq më tepër që unë pata një periudhë pushimi. Jam e lumtur që të paktën nuk humba në raundin e parë”. Ajo e ka fjalën për humbjen në raundin e parë të favorites, Ashli Bartit, kampiones së Uimbëlldonit dhe numrit 1 në botë.

Sfidanti.al