Në çfarë kontinenti po luan këtë verë Teuta e Durrësit?!

Në fund të tetorit të vitit tashmë të largët 1984, kombëtarja shqiptare po shkonte me zemër të dridhur drejt Polonisë, për t’u ndeshur në eleminatoret e Kupës së Botës, me ekipin numër 3 në rruzull. Skuadra kuqezi, shpesh e turpëruar sidomos jashtë fushe, do të ishte përballë Bonjekut, Smolarekut, Budës, Zhmudës, Xhekanovskit e portierit Kazimierski. Në ndalesën tranzit në Beograd, lojtarët i kërkuan shefit të delegacionit, Sokol Morinës, paratë e dietave për të blerë dhurata për shtëpinë. Morina, që ishte i vendosur për të marrë rezultat në Poloni, ua preu shkurt. “Si mund të kërkoni paratë kur jemi para ndeshjes? – tha ai, – tani duhet të mendoni vetëm për ndeshjen. Kur të kthehemi do të jemi sërish në Beograd dhe do t’iu ndihmoj që të kaloni pa doganë çdo gjë që do të blini”. Ashtu u bë, dhe e nxitur nga Morina si dhe e përgatitur nga trajneri Rreli Shqipëria mori një barazim të lavdishëm 2-2.

Në të kundërt, Teuta e Durrësit nuk u mor vesh ende se për çfarë po luan në këto kupa europiane! Pas katastrofës me Sherifin e Tiraspolit të Moldavisë, ekip me të cilin janë eleminuar për mungesë fati Kukësi, Partizani apo Dinamo, durrsakët patën turpin tjetër, humbjen 0-2 në “Niko Dovana” me një ekip nga Andorra. Pikërisht në ditën kur Laçi mundi Universitatean e Krajovës pasi eleminoi Podgoricën, dhe Vllaznia u mbajt fort ndaj AEL-it të Limasolit, ndërsa kishte eleminuar Shiroki Brijegun!

Genis Soldevila shënoi të dy golat për miqtë në minutat 37 e 56. Durrsakët mbajtën topin 57 për qind dhe patën goditjet nga këndi 7-1, por kjo nuk bëri “asnjë para”, madje as gjuajtjet që ishin 12-7 dhe në kuadrat 4-2. Pra, miqtë shënuan me dy gjuajtjet e vetme të sakta. Dy raunde më parë, Prishtina nuk e pati problem ta mundte Interin andorras 2-0 dhe të kualifikohej në Champions, por durrsakët nuk e gjetën dot mënyrën. Bashkë me ndeshjet ndaj Sherifit të Tiraspolit, Teuta ka 3 humbje deri tani në Europë, me 0 gola të shënuar e plot 7 të pësuar, ndërsa në shtëpi është turpëruar më shumë se kudo (0-4, 0-2). Nuk dihet se me çfarë motive kanë hyrë durrsakët në Ligën e Konferencave, por nëse Sokol Morina i ndaloi lojtarët e kombëtares që të bënin pazar para ndeshjes në Poloni, Teuta e ka bërë pazarin e saj përpara sesa të luante.

Sfidanti.al