Çelsi doli “i gjallë” nga “Anfild Roudi”, dhe tani është më pranë fitores së titullit të parë kampion me Antonio Konten në stol. Blutë e Londrës patën madje shansin për të dalë triumfues kur ishin në epërsi dhe patën penallti në fund, veçse Liverpuli vendas meritonte të paktën barazimin, për të mos thënë të tria pikët. Vizitorët kaluan në epërsi papritmas, siç thonë në Angli “kundër rrjedhës së lojës”, me një goditje dënimi që nuk u mor vesh sesi u pësua gol nga Minjole. Gjyqtari mesa duket kishte vërshëllyer, David Luiz gjuajti, ndërsa portieri i Liverpulit ishte ende duke udhëzuar barrierën. Dikush duhej ta kishte lajmëruar në kohë!
Formacioni i drejtuar nga Jurgen Klop vazhdoi presionin dhe mori shpërblimin në 57’ kur mesfushori Vajnaldum barazoi me një goditje me kokë. Edhe pse Liverpuli kërkoi fitoren, ishte Çelsi që iu afrua pasi Diego Kosta fitoi penallti. Këtë herë Minjole nuk kishte barrierë për të udhëzuar, dhe e priti gjuajtjen e sulmuesit braziliano-spanjoll. Barazimi bën që skuadra e Kontes të mbetet 9 pikë para ndjekësve.
Rezultatet: Liverpul-Çelsi 1-1, Arsenal-Uatford 1-2, Sandërlend-Totenhem 0-0, Bërnli-Leiçester 1-0. Renditja: Çelsi 56, Totenhem 47, Arsenal 47, Liverpul 46, Man. Siti 43 (-1), Man. Junajtid 41 (-1).