Është Lacio në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, dhe jo Interi. Kualifikim bindës i kryeqytetasve, shumë të nënvleftësuar pas lëkundjeve në kampionat, por që e arritën suksesin në mënyrën më bindëse, pikërisht në fushën e rivalëve, në “San Siro”. Felipe Anderson shënoi që në minutën e 20-të, dhe në pjesën e dytë, mesfushori belg Lukas Bilia dyfishoi shifrat me penallti.
Që nga minuta e 55-të, pra nga momenti i 11-metërshit, Interi luajti me 10 lojtarë për shkak të kartonit të kuq të Mirandës. Në pozita të tilla ishte tepër e vështirë të reagohej, edhe pse interistët e provuan. Në minutën e 76-të, forcat në fushë u barazuan pasi Stefan Radu u përjashtua nga Lacio, dhe në 84’ erdhi goli i kroatit Brozoviç. Për fatin e keq të vendasve, nuk pati më kohë. Lacio mundi Interin, por edhe ish-trajnerin e saj, Stefano Pioli, që mori goditjen e parë të rëndësishme që kur u ul në stolin zikaltër. Të shohim nëse do të ketë pasoja. Sa për Lacion, pret të mësojë kundërshtarin dhe mund të ketë një derbi, pasi do të ndeshet me fituesen e çerekfinales Roma-Çezena.