Igli Tare në qiellin e shtatë për Sarrin: Lacio ka marrë një trajner të madh!

Nga prezantimi menjëherë në punë, ndërsa entuziazmi është i madh. Mauricio Sarri ka krijuar pritshmëri të jashtëzakonshme tek Lacio dhe një vlerësim të rëndësishëm për trajnerin e ri e jep edhe drejtori sportiv, Igli Tare. Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare është i bindur se me Sarrin klubi i Serisë A ka bërë zgjedhjen e duhur.

“Kemi marrë një trajner shumë të mirë, ardhja e të cilit ka krijuar një entuziazëm të madh, – u shpreh Tare, – Sarri është një trajner i shkëlqyer dhe derbi Lacio-Roma do të shihet në të gjithë botën. Sarri gjen një ekip shumë të motivuar dhe unë jam duke e ndjekur me kënaqësi punën e tij. Ai thotë se Lacio është një klub dhe një skuadër ku mund të praktikojë futbollin që pëlqen”.

Lacio natyrisht nuk punon thjehst për të sfiduar Romën e Zhoze Murinjos, por së pari për objektivat e veta. Synimi si minimum është rikthimi në Champions, pra në 4 vendet e para të Serisë A. Në skuadrën kryeqytetase ka ardhur edhe zv. kapiteni i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, i kërkuar nga vetë Sarri pasi të dy kanë punuar bashkë tek Empoli e Napoli. Po ashtu, aty ndodhet edhe portieri kuqezi, Tomas Strakosha, kontrata e të cilit përfundon vitin e ardhshëm, dhe do të jetë Sarri që do të vendosë se çfarë do të bëhet, por edhe vetë 26-vjeçari duhet të bindet për të rinovuar.

Nuk duhet harruar sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, i cili shpreson të ketë një sezon më të mirë. Ai duhet të bindë Sarrin, ndonëse nuk dihet nëse do të vazhdojë në ekip. Së fundmi, me Lacion është bashkuar një tjetër lojtar me origjinë shqiptare, Florent Shehu. Sulmuesi 19-vjeçar i ka rrënjët nga Pogradeci, por ka lindur në Pontarlie të Francës dhe ka shtetësi zvicerane e franceze. Ai erdhi nga Spanja tek Lacio U19 për të cilën shënoi disa gola, dhe nuk vonoi ftesa e Sarrit që dëshiron ta shikojë nga afër.

Sfidanti.al