E diela e madhe e Italisë, Uimbëlltoni i Berretinit dhe Uembli i Të Kaltërve!

E gjeti titullin ashtu siç duhej, dhe siç i shkon ditës së madhe. Sporti italian do të përjetojë dy kulme dhe e përditshmja “La Gazeta delo Sport” mezi e pret këtë të diel. “Italia, Uimbëlldon dhe Uembli, – shruan ajo në kopertinë, – një e diel si kurrë më parë, diskutojmë dy superfinale!” Gazeta vendos shkronjën angleze dabëllju, si simbol i fitores, por edhe si shkronjë e parë e dy finaleve, Uimbëlldon dhe Uembli, si dhe fotot e tenistit Mateo Berretini e të Roberto Mançinit.

Kombëtarja e Italisë do të luajë finalen e Kampionatit Europian të futbollit në stadiumin “Uembli” të Londrës ndaj vendasve të Anglisë, në orën 21:00 të së dielës. Pritshmëria është për të fituar titullin e parë kontinental që nga viti 1968, dhe të dytin në histori, ndërsa të kaltrit kanë humbur dy finale në 2000 ndaj Francës dhe 2012 ndaj Spanjës. Vëmendja e miliona qytetarëve italianë është padyshim e përqëndruar në stadiumin mitik londinez, veçse një finale tjetër do të luhet më herët.

Në orën 15:00, tenisti italian Mateo Berretini përballet me Novak Gjokoviçin për titullin e Uimbëlldonit. Entuziazmi është i jashtëzakonshëm në Apenine, sepse Berretini është i pari italian që arrin deri në finale të turneut më të vjetër e më të famshëm të tenisit në botë. U deshën 144 vjet që kjo të ndodhte! Berretini është 25 vjeç dhe më në fund po realizon potencialin e tij, pasi arriti çerekfinalet në Rolan Garos të Parisit këtë vit, dhe gjysmëfinalet në US Open në 2019.

Ai mundi në gjysmëfinale hungarezin Hubert Hurkaç me shifrat 3-1 me sete. Natyrisht, pritet ta ketë tepër të vështirë sepse përballë do të ketë numrin 1 të botës, Novak Gjokoviç. Tenisti serb synon titullin e 20-të Grand Slem në karrierë për të barazuar rekordin botëror që mbahet nga Rozher Federer dhe Rafael Nadal.

Sfidanti.al