Ç’tronditje në Gjermani, Hamburgu ndalon Zelerin të shkelë në stadium!

Të kuptohemi, nuk është se ka ndonjë inat me të, dhe nuk është se ky është vendim i klubit. Hamburger SV, pra klubi i futbollit, nuk është ai që vendos rregullat për ata që duhet të vijnë në stadium, por janë autoritetet e Landit, autoritetet vendore. Sipas rregullores, vetëm 30 për qind e vendeve në stadium do të shiten, rreth 17 000, por për shkak të epidemisë së koronavirusit, biletat mund të blihen vetëm nga tifozët që e kanë qendrën e tyre të parë të banimit në qytet, pra në Hamburg.

Legjenda Uve Zeler digjet nga ky rregull, sepse ai i ka letrat e banimit në një Land fqinj, në Shlezvig-Holshtajn, dhe aty jeton prej më shumë se gjysmë shekulli. Sot, në moshën 84-vjeçare, një nga yjet më të mëdhenj të Hamburgut dhe të futbollit gjerman, do të ndalohet të hyjë në stadiumin ku dikur ka qenë “mbret”. Kjo, edhe pse është qytetar nderi i Hamburgut. “Jam shumë i zemëruar, – thotë Zeleri, – unë dua që të shkoj në stadium, dhe jam i vaksinuar. Do të mbaj distancën, kjo është pa kuptim. Ka tifozë të Hamburgut që e kanë shtëpinë më larg stadiumit sesa e kam unë”. Vetë klubi do të protestojë dhe besohet se për një legjendë si Zeler (i pari majtas në foto, me Horst Hrubeshin) do të bëhet një përjashtim.

Sfidanti.al