Sipas traditës në Francë, ka njohur ngjitje e tatëpjeta, ka fituar tituj e ka lënguar në nivelet e dyta, por gjithsesi është një nga emrat e mëdhenj të futbollit të këtij vendi. Zhirondin Bordo, e njohur shkurt si Bordo, me shumë gjasë do të jetë në kategorinë e dytë sezonin e ardhshëm dhe kjo për shkak të problemeve financiare. Ky ishte vendimi i autoriteteve, ndonëse Bordoja doli në vend të 12-të në kampionat, pra aspak për t’u rrëzuar. Drejtuesit shpresojnë që apeli do t’i ndihmojë ndërsa biznesmeni Zherar Lopez ka paraqitur një plan financiar.
Bordoja është krijuar që në 1881, pra është një klub shumë i vjetër, edhe pse futboll ka luajtur vetëm nga viti 1919. Ka fituar 6 tituj kampion në Francë, 4 Kupa të Francës, 3 Kupa të Ligës dhe 3 Superkupa, ndërsa për të kanë luajtur lojtarë të shquar si Alen Zhires, Bernar Lakomb, Zhan Tigana, Rene Zhirar, Zllatko Vujoviç, Lizarazu, Dygarri, Silven Viltor apo Zinedin Zidan. Në Europë, arriti gjysmëfinalen e Kupës së Kampionëve në 1985 dhe finalen e Kupës UEFA në 1996 mundur nga Bajerni.
Sfidanti.al