Klopi pritet të hidhet në sulm për të marrë Dokun tek Liverpuli

E kërkoi kur ishte vetëm 15 vjeç dhe e mori në “Anfild”, por Anderlehti ia ndërroi mendjen. Ishte Romelu Lukaku që, me kërkesë të klubit belg, i dërgoi një video ku e këshillonte që të mos shkonte tek Liverpuli (pavarësisht kërkesës së Jurgen Klopit) në moshë aq të re, por që të vazhdonte në Belgjikë e të rritej. Kështu edhe u bë dhe sot Zheremi Doku është rritur dhe ka nisur të tregojë veten sesa vlen. Shkëlqeu në Europian në sfidën Itali-Belgjikë duke bërë 8 driblime, një rekord që nuk e ka arritur as Mbape dhe as Nejmar kur kanë qenë 19 vjeç.

Me gjasë, Klopi do ta kërkojë përsëri dhe e shikon si pasardhësin e duhur të Sadio Manesë, sepse është i shpejtë, di të driblojë dhe luan fort edhe pa top. “Nëse Liverpuli më ka kërkuar një herë, mund të më kërkojë prapë”, – thotë Doku. Ai nuk është më tek Anderlehti sepse Rena në Francë e mori për 26 milionë euro dhe shpreson ta transferojë të paktën për 50 milionë.

Sfidanti.al