Prag Angli-Ukrainë, “tre luanët” nuk duan që të ndalen në këtë Europian!

Kjo e sotmja, në krahasim me Gjermaninë duket “bukë e djathtë”. E gjithë Anglia është e bindur se për kombëtaren e vendit të tyre ka ardhur ora për ta fituar më në fund Europianin, diçka që nuk e ka bërë kurrë. Një çerekfinale ndaj Ukrainës pas triumfit 2-0 me Gjermaninë madhështore padyshim nuk është më e vështira e përballjeve, por “tre luanët” sot kanë një veti që dikur ndoshta nuk e kanë pasur. Edhe falë trajnerit Garet Sauthgejt, janë shumë më modestë, dhe po ashtu janë ekip i bashkuar, diçka që pritet ta tregojnë sonte në orën 21:00 në stadiumin “Olimpiko” të Romës.

Anglezët duken në formë, pa dëmtime, ndërsa Maunt e Çiluell janë të gatshëm pas izolimit për Kovidin. Kapiteni Harri Kejn më në fund shënoi dhe pritet të jetë i çliruar, ndërsa Stërling është një nga më të mirët në këtë Europian. “Ne nuk e kemi ngjitur ende Everestin, – thotë tekniku anglez, – pra, duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të përqëndruar ndaj Ukrainës. E vërteta është se ne nuk jemi aspak të vetëkënaqur apo euforikë. Rreziku ekziston gjithnjë, por do të luajmë ndeshjen tonë, pa frikë. E dimë se pritet shumë nga ne, por duhet të jemi të qetë”.

Anglia është favorite, ndërsa bilancin e ka pozitiv me 4 fitore, 2 barazime e vetëm 1 humbje. Mediat angleze i bëjnë thirrje ekipit të tyre që të japë maksimumin sepse i ka të gjitha mundësitë për t’u kualifikuar. Gjithsesi, ka paralajmërime se Ukraina e Shevçenkos do të jetë e rrezikshme ashtu siç ishte Islanda që eleminoi Anglinë në Euro 2016.

Ukraina arriti në çerekfinalet e një Europiani për herë të parë në histori, pas fitores 2-1 ndaj Suedisë, madje kur askush nuk e priste prej tyre. E gjithë popullsia e ish-republikës sovjetike është e lumtur, ndërsa suksesi i kombëtares i ka dhënë më shumë emër vendit të tyre të vuajtur. Trajneri Andrij Shevçenko është heroi i kombit, ndërsa nuk do të ketë të dëmtuarit Besedin e Popov.

“Nuk duhet të kemi frikë nga Anglia, – janë fjalët e legjendës ukrainase, – pavarësisht se çfarë kundërshtari kemi përballë, gjithçka është e mundshme për Ukrainën. Anglia është skuadër e madhe, është shumë e vështirë t’i shënosh gol, por le ta provojmë dhe të jemi të motivuar. Le t’i japim sërish kënaqësi tifozëve”.

Ndeshja tjetër çerekfinale e ditës së sotme është ajo mes Danimarkës dhe Çekisë në stadiumin “Olimpik” të Bakusë në Azerbajxhan. Të dyja skuadrat kanë arritur me meritë deri në 8 më të mirat, madje duke shkaktuar supriza, ndërsa shanset duken të barabarta për kualifikimin për në gjysmëfinale.

Sfidanti.al