Kur realizon një ëndërr pas 16 vjetësh pritjeje, nuk mund të ndihesh ndryshe. Kris Polit i dolën lot nga sytë, ndërsa komentoi suksesin e madh personal dhe ekipor me Feniksin, duke u kualifikuar për herë të parë në karrierë në finalen e madhe të NBA-së. Imagjinoni, ylli me trup të vogël që nuk ta mbush syrin, është sot 36 vjeç, dhe lumturia është e plotë sepse Feniksi ia doli pikërisht sepse ai luajti në nivelin më të lartë. Pol shënoi 41 pikë në më pak se 35 minuta, në fitoren e madhe dhe vendimtare 130-103 në Los Anxhelos ndaj Klipersave.
Basketbollisti, i gjatë vetëm 1.83 metra ishte thuajse i jashtëzakoshëm duke realizuar 7 nga 8 gjuajtjet për tri pikë, duke pasur saktësinë gati 67 për qind në total në gjuajtje nga loja, e duke shtuar 4 topa në tabela, 8 asistë e 3 vjedhje topi. Ai nuk e humbi topin asnjëherë dhe vështirë se dikush mund të luajë më mirë se kaq në basketbollin amerikan. Suksesi në “Stejpëll Sentër” bëri që Feniksi të kualifikohej me rezultatin e ndeshjeve 4-2, ndërsa pret kundërshtarin në finalen e madhe, që do të jetë Miluoki ose Atlanta.
Devin Buker shtoi 22 pikë për fituesit, plus 7 topa në tabela e 4 asistë, ndërsa Deandre Ejton shtoi 16 pikë e 17 topa në tabela. Xhej Krauder realizoi 19 pikë në fitore. Klipersat vuajtën mungesën-kyçe të yllit kryesor, Kauai Leonard, dhe me praninë e tij seria mund të shkonte ndryshe. Pol Xhorxh nuk e mbajti dot peshën e përgjegjësisë i vetëm. Për Feniksin ky ishte titulli i tretë nqë Konferencën Perëndimore, por titullin e NBA-së nuk e ka fituar kurrë. Ndoshta ia del tani me Kris Polin.
Sfidanti.al