Benitez tek Evertoni? Iku koha e Shenklit dhe Fergusonit!

Trajnerin spanjoll me legjendat skoceze i lidh jo vetëm profesioni, por edhe fakti se që të tre kanë ditur të lëshojnë batuta që kanë mbetur në mendje. Rafa Benitez tha, kur ishte tek Liverpuli, se “Evertoni është një klub i vogël”, siç do të thoshim ne në Shqipëri së “është një ekip i vogël”. Kjo natyrshëm tërboi tifozët e bluve të cilët edhe sot e kësaj dite nuk e kanë harruar dhe e kërcënuan me jetë për faktin se kandidoi për trajner të Evertonit. Klubi e konfirmoi dhe pritet të shihet vazhdimi.

Në kohën e tij, Bill Shenkli ishte po aq thumbues. Kur një futbollist i kërkoi këshillë trajnerit të atëhershëm të Liverpulit nëse ia vlente që ai të shkonte tek Evertoni, skocezi iu përgjigj: “Po bir, ashtu bëj. Të paktën do të kesh mundësi të jesh pranë një klubi të madh”! Nënkuptimi ishte për Liverpulin. Nuk kanë munguar romuzet nga Sër Aleks Fergusoni, kur ishte tek Mançester Junajtidi dhe Mançester Sitin e cilësonte “fqinjët tanë të zhurmshëm”. Ndryshimi mes Benitezit dhe dy skocezëve është se Shenkli dhe Fergusoni nuk menduan kurrë, dhe nuk e bënë kurrë, që të ndërronin “dashurinë”, pra të kalonin barrikadën për në anën tjetër të qytetit.

Sfidanti.al