Trajneri legjendar i viteve më parë i Mançester Junajtidit u përpoq që të ndryshonte rregullat lidhur me detyrimet e lojtarëve dhe teknikëve ndaj mediave duke theksuar se intervistat menjëherë pas ndeshjes nuk ishin aspak të mira. “Lojtarët dhe trajnerët janë tepër të shqetësuar, të emocionuar, të stresuar pas ndeshjeve dhe do të ishte mirë që intervistat të jepeshin më vonë”, – tha atëherë Sër Aleks Ferguson. Asgjë nuk ndryshoi sepse të ardhurat nga TV ishin shumë të larta dhe publiku donte pikërisht të dëgjonte protagonistët duke folur menjëherë pas ndeshjeve. Shqetësimi i atëhershëm i Fergusonit na u rikujtua kur Garet Bejl braktisi një intervistë pas ndeshjes së Europianit, Danimarkë-Uells, ndërsa u pyet nga gazetari i BBC-së nëse kjo kishte qenë ndeshja e tij e fundit për uellsianët. Lojtari i Realit të Madridit ndërpreu intervistën sapo iu bë pyetja, ndërsa më herët gjatë këtij viti kishte thënë se të ardhmen me kombëtaren do ta vendoste pas Europianit.
Sfidanti.al