Është një mjeshtër i penalltive dhe do të luajë aty ku i takon. Etrit Berisha sipas të gjitha gjasave do të kthehet në Serinë A, me Torinon që ka nisur sulmin për të siguruar shërbimet e tij, dhe besohet se do t’ia dalë. Portieri i kombëtares shqiptare është ende me SPAL-in e Ferrarës, me të cilin luajti edicionin e kaluar në Serinë B, duke bërë një paraqitje shumë të mirë. Ai priti tri penallti dhe u dallua, ndonëse vetë SPAL-i zhgënjeu dhe nuk arriti të kthehej në elitë.
Torino është gati t’i ofrojë Berishës një kontratë 2-vjeçare, dhe ka dakordësinë e portierit i cili nuk dëshiron të luajë një tjetër sezon në Serinë B. Gardiani 32-vjeçar ka një histori të spikatur në majat e futbollit italian, dhe në Serinë A ka luajtur plot 139 ndeshje për Lacion, Atalantën dhe SPAL-in, ose mbi 12 000 minuta në fushë. Shqiptari i Kosovës njihet si specialist për pritjen e 11-metërshave dhe në karrierë ka ndaluar 11 gjuajtje të tilla, nga të cilat 9 me klubet dhe 2 me kombëtaren shqiptare. Rikthimi thuajse i sigurt në elitën italiane është një shpërblim i merituar për një profesionist të vërtetë, i cili ka ditur të mbajë lart nivelin gjatë gjithë karrierës, që kur nisi me Kalmarin në Superligën e Suedisë në vitin 2010. Në total, ai ka 7 sezone në Serinë A, një në Serinë B, dhe 4 në elitën suedeze.
Sfidanti.al