Kjo seri është vështirësuar shumë, por ata nuk kanë ndërmend të dorëzohen. Los Anxhelos Klipersat ia dolën më në fund të fitonin në një ndeshje finale të Konferencës Perëndimore në NBA ndaj Feniksit, edhe pa yllin kryesor, Kauai Leonard. Suksesi 106-92 ishte bindës dhe i merituar, arritur falë lojës së gjithë skuadrës, por sidomos për meritë të yllit tjetër të dalluar, Pol Xhorxh. Basketbollisti 31-vjeçar dominoi në “Stejpëll Sentër” në Los Anxhelos duke shënuar 27 pikë, kapur 15 topa në tabela e shërbyer 8 asistë.
Pavarësisht se gaboi shpesh për tri pikë, dhe ndonëse e humbi topin pak si shpesh, ai e udhëhoqi siç duhet ekipin ndaj edhe vlerësimi ishte i lartë. Natyrisht, për Klipersat luftuan fort edhe të tjerët si Rexhi Xhekson që shënoi 23 pikë apo qendra kroate, Ivica Zubac me 15 pikë e 16 topa në tabela. Feniksin nuk e ndihmoi kthimi nga dëmtimi i Kris Polit që shënoi vetëm 15 pikë, aq sa ylli Devin Buker, aspak në formën e tij të zakonshme. Feniksi vazhdon të udhëheqë serinë finale të Perëndimit 2-1 me fitore, por ndeshja e katërt luhet sërish në Kaliforni. Problem i madh për Klipersat është se Leonard vështirë se mund të kthehet gjatë këtyre përballjeve i dëmtuar në gju, dhe shpresa e vetme mbetet tek Pol Xhorxhi.
Sfidanti.al