Kosova pret medaljet e tjera në Olimpiadë, Shqipëria tall veten me ligjin e sponsorizimit!

Nuk harrohet momenti i lavdisë 5 vjet më parë. Majlinda Kelmendi i dha Kosovës medaljen e parë të artë olimpike në histori, por ai triumf duket se ka qenë vetëm si aperitiv. Shteti më i ri i Europës ka kualifikuar vetëm në xhudo plot 5 sportistë dhe synon të fitojë medalje të tjera në Lojrat Olimpike në Tokio që nisin në 23 korrik dhe përfundojnë në 8 gusht. Kampionët e kualifikuar janë padyshim Majlinda Kelmendi në peshën deri 52 kg, Distria Krasniqi në peshën deri 48 kg, Nora Gjakova deri në 57 kg, Akil Gjakova deri në 73 kg dhe Loriana Kuka deri në 78 kg.

Një sukses i vërtetë, që bën kontrast të madh me gjendjen e vështirë në sportin e Shqipërisë, ku vetëm pak sportistë arrijnë normat olimpike me sakrifica të mëdha, siç janë peshëngritësit Briken Calja e Erkand Qerimaj, apo siç përpiqen atletët Izmir Smajlaj e Luiza Gega. Suksesi i Kosovës, sipas të gjitha gjasave, bazohet tek modeli i saj ligjor dhe qasja institucionale ndaj sportit, ku ligji i sponsorizimeve u njeh kompanive deri në 30 për qind ulje nga detyrimet e përgjithshme në tatime, nëse investojnë në sport. Edhe pse, lajmet janë që buxheti ka humbur 4 milionë euro, jehona e imazhit të vendit në botë falë sportit besohet se sjell të ardhura shumë më tepër se kaq.

Në ndryshim të plotë, ligji i sponsorizimeve në Shqipëri u ka njohur deri tani vetëm 3 apo 4 për qind ulje në tatime për sponsorizim në sport, ndërsa vetëm janë bërë ndryshime, por u njihen vetëm kompanive që kanë fitim vjetor të tatueshëm mbi 100 milionë lekë të rinj.

Duke u kthyer te Kosova, ajo ka shanse reale në Olimpiadë. Distria Krasniqi cilësohet si shpresa më e madhe për medalje, sepse është xhudistja më e mirë e Kosovës sot, dhe xhudistja numër 1 në botë në peshën e saj. Krasniqi është kampione e Europës në fuqi dhe medaliste e bronztë në Botëror 2 vjet më parë.

Sfidanti.al