Verstapen tregon veten rival numër 1 për titull, fiton provat në Francë

Kur fiton provat zyrtare dhe këtë e bën më shumë se një herë, atëherë je një pilot që pretendon titullin dhe ke një makinë shumë të mirë. Maks Verstapeni i plotëson të dyja këto kushte këtë sezon në Formula 1, dhe piloti holandez i Red Bullit do të niset nga vendi i parë në Çmimin e Madh të Francës këtë të diel. Lideri i renditjes së Botërorit la pas Ljuis Hamiltonin duke treguar se ka dalë nga hija e 7 herë kampionit të botës. Verstapen dha kohën 1’29”990, ndërsa anglezi arriti në 1’30”248, pra gati 25 të qindat më prapa. Në vend të tretë Valteri Botas po me Mercedes, ndërsa Perez i dha Red Bullit vendin e 4-ët. Ferrari më i mirë ishet ai i Karlos Sainzit, ndërsa Leklerku arriti vetëm vendin e 7-të me 1’30”987.

“Ishte një fundjavë shumë e vështirë nga ana psikologjike, – deklaroi Hamilton më pas, – na u desh shumë punë që makina të kalonte problemet dhe të ishte konkurruese. Nuk mund ta imagjinoni sesa shumë ndryshime kemi bërë që nga provat e lira”. “Do të luftojmë për fitore, – tha Verstapeni, – ndonëse gara është diçka tjetër, por ne kemi një makinë shumë të mirë dhe një skuadër shumë të fortë ndaj unë kam besim”.

Sfidanti.al