Edhe pse ka luajtur në krah të profesionistëve të tillë të mbrojtjes si Kielini e Bonuçi, sërish duket se Matijs De Ligt nuk po i kënaq disa nga specialistët që po e ndjekin në këtë Europian. Marko Van Basten, ish-ylli i madh i Holandës, Ajaksit dhe Milanit, deklaroi se mbrojtësi holandez nuk po bën gjënë e duhur në Europian. “Ai nuk ka mësuar asgjë tek Juventusi, – thotë Van Basteni, – nuk ka mësuar asgjë që kur iku nga Ajaksi, ai duhet të udhëheqë mbrojtjen”. Duket sikur legjenda holandeze po e shtyn qendërmbrojtësin që të ndryshojë ekip, ndërsa dihet se Barcelona e ka pëlqyer gjithmonë. Jo vetëm kaq, por vetë stili i lojës duke qenë se vjen nga shkolla e Ajaksit, i përshtatet më shumë Barcelonës sesa Juventusit. Nuk dihet nëse ky ndryshim mund të ndodhë, pasi për momentin katalanasit nuk kanë financa të mira, ndërsa Juventusi llogarit të bazohet tek De Ligti në mbrojtje ndërsa Kielini e Bonuçi po e mbyllin ciklin.
Sfidanti.al