Dy vjet më parë ia doli ta linte pas dhimbjen e të kthehej. Luis Enrike i tha vetes se jeta vazhdon, edhe pse ajo që kishte provuar si prind nuk mund të shërohej me asgjë, as nga vetë koha. Trajneri i Spanjës, që do të debutojë sot në Euro 2020, lajmëroi në gusht në 2019-ës shuarjen e vajzës së tij 9-vjeçare, Hana. Burri i fortë 51-vjeçar nga Asturia, ndërsa doli përpara gazetarëve në prag të Europianit, u pyet për presionin mbi të dhe kombëtaren.
“Sinqerisht, me atë që unë kam kaluar, ky presion i Europianit është një lodër fëmijësh, – ishte përgjigja e tij, – gjithsesi, ne kemi një përgjegjësi përpara vendit tonë dhe duhet të luftojmë për të fituar. Nuk jemi në kushtet ideale, Kovidi ka lënë pasoja, por nuk duhet të justifikohemi”.
Kapiteni Buskets u detyrua të izolohej nga koronavirusi, ashtu si edhe Diego Jorente. Gjithsesi, Luis Enrike ka në dispozicion mbrojtësin Laporte që pritet të debutojë. Vetëm 3 ditë para nisjes së turneut, autoritetet spanjolle ngarkuan ushtrinë që të vaksinonte kombëtaren, diçka edhe u krye me përpikmëri. “Furitë e Kuqe” zbarkuan ditën e djeshme në Sevilje, në qytetin ku do të luhet ndeshja e parë në grup ndaj Suedisë. Ekipi cilësohet në tranzicion, duke qenë se yjet e viteve të fundit si kapiteni Sergio Ramos janë lënë jashtë, ndërsa Gerard Pike është tërhequr më parë.
Luis Enrike e di se nuk ka në dispozicion një brez të tillë si ai që fitoi dy tituj europianë, në 2008 e 2012, përkatësisht pas finaleve ndaj Gjermanisë dhe Italisë, ndërsa në 2010 fitoi edhe Kupën e Botës. Nuk ka më Iniesta, Ksavi, Kasijas, Torres, David Vija, as Ramos e Pike. Gjithsesi, spanjollët janë favoritë për fitoren, me kuotën 1.44, ndërsa suedezët pritet ta kenë shumë të vështirë, edhe në mungesë të Zllatan Ibrahimoviçit të dëmtuar, ndërsa Kulushevski e Svandberg dolën pozitivë për Kovid.
Sfidanti.al